
22 shërbime të reja për autoshkollë lansohen në platformën e-Kosova
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka lansuar 22 shërbime të reja digjitale në platformën e-Kosova, të cilat i dedikohen sektorit të autoshkollave dhe profesionistëve të përfshirë në këtë fushë.
Këto shërbime janë pjesë e përpjekjeve për digjitalizimin e shërbimeve publike, duke mundësuar qasje më të lehtë, transparencë dhe efikasitet për qytetarët dhe bizneset që operojnë në fushën e trajnimit të vozitësve.
Shërbimet e reja përfshijnë: Aplikime për licencim dhe rilicencim të autoshkollave, ligjëruesve profesionalë, instruktorëve të vozitjes, dhe pyetësve teorikë/praktikë, kërkesa për ndryshim, ndërprerje të veprimtarisë apo verifikim të angazhimeve, regjistra të detajuar për secilën kategori profesionale etj.
Të gjitha këto shërbime tashmë janë të qasshme online përmes platformës zyrtare: ekosova.rks-gov.net.