
Kusari i reagon Osmanit: Raportimi për përdorimin e burimeve shtetërore është interes publik, jo përndjekje
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas deklarimeve të Presidentes së Kosovës lidhur me raportimet mediatike.
Ajo theksoi se raportimet për përdorimin e burimeve shtetërore nga e para e shtetit për nevoja personale janë plotësisht në interes publik dhe nuk përbëjnë përndjekje.
“Përndjekje është kur ju dhe bashkëshorti juaj shfrytëzoni çdo situatë për të sulmuar mediat, për të njollosur gazetarët dhe për të krijuar klimë negative ndaj mediave”, shkroi ajo.
Kusari e ka kritikuar qasjen e Presidencës ndaj mediave, duke e krahasuar me qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në krijimin e një narrative kundër gazetarëve.
Sipas saj, e vetmja presidente që ka qenë e përndjekur pa të drejtë nga mediat ka qenë Atifete Jahjaga, prej së cilës, siç theksoi juristja e mediave, duhet të merret shembull se si të ndërtohen marrëdhënie korrekte me gazetarët.
Duke iu referuar ndalimit të kameramanit Jetmir Muji, ajo e cilësoi atë si “ndërhyrje flagrante në lirinë e shprehjes dhe të mediave”, duke theksuar se marrja e pajisjeve të tij pa urdhër gjyqësor rrezikon seriozisht mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.