Prattipati: Jemi të zhgënjyer me veprimet dhe deklaratat e fundit të Kurtit
Foto: Laura Hasani

Prattipati: Jemi të zhgënjyer me veprimet dhe deklaratat e fundit të Kurtit

Aktuale September 12, 2025 - 10:42

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se është e zhgënjyer me deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me Gjykatën Kushtetuese, i cili në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje e kishte quajtur ‘hije politike të opozitës’ ndaj Vetëvendosjes.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Prattipati tutje ka thënë se këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati në një përgjigje për telegrafin.

Ajo tutje ka thënë se çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin reciprok.

“Jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, ka thënë Prattipati.

Ndryshe, ditë më parë lideri i LVV-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.

Këto akuza janë bërë pasi Kushtetuesja kishte vendosur masë të përkohshme ku u është ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime, gjersa ka ndaluar çfarëdo procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Lidhur me deklaratën e Kurtit kanë reaguar edhe nga Kushtetuesja.

Gjykata Kushtetuese ka shprehur shqetësim për deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë, duke i cilësuar ato si të pamatura dhe të dëmshme për demokracinë.

Në reagimin e saj, Gjykata thekson se pavarësia dhe paanshmëria e saj nuk janë privilegj i gjyqtarëve, por themel i shtetit të së drejtës dhe parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. /telegrafi