
Haradinaj takohet me Rodgersin, flasin për zhvillimet rajonale dhe sfidat aktuale në vend
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Australisë në Kosovë, Richard Rodgers.
Gjatë këtij takimi mësohet se u diskutua për situatën politike në vend, zhvillimet rajonale dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet Kosova.
Haradinaj e informoi ambasadorin australian për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, duke theksuar rolin konstruktiv të Aleancës në tejkalimin e bllokadës institucionale, raporton Zeri.info.
Haradinaj falënderoi Australinë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka ofruar Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke e vlerësuar këtë shtet si një prej aleatëve të hershëm dhe të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe proceseve integruese.
Ai shprehu bindjen se përkrahja e Australisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në funksion të thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. /Zëri