
Mësimi tërëditor sfidohet nga mbingarkesa në shkollat e Prishtinës
Në kohën kur në komunën e Prishtinës 12 shkolla janë duke realizuar mësimin tërë ditor, shumë shkolla të tjera në kryeqytet po vazhdojnë të përballen me numër të madh të nxënësve nëpër klasa. Kjo, sipas drejtuesve të shkollave dhe Komunës së Prishtinës, po pengon realizimin e mësimit tërë ditor.
Shumica e klasave në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë kanë mesatarisht 40 nxënës. Numri i madh i nxënësve në shkollat e kryeqytetit, sipas drejtuesve të shkollave dhe Drejtoratit të Arsimit të Komunës së Prishtinës, mbetet sfidë për procesin mësimor dhe planifikimin për mësimin tërë ditor.
Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, i tha Radio Kosovës se me infrastrukturën e pamjaftueshme dhe numrin e madh të nxënësve, është pothuajse e pamundur të fillohet me mësimin tërë ditor.
“Shkolla ‘Ismail Qemali’ përballet me numër të madh të nxënësve nëpër paralele, ku numri sillet deri në 40 nxënës. Shkolla jonë ka nevojë të ndahet në të dy ciklet për gjysmë, për të pasur mundësi të fillohet me mësim tërë ditor me njërin ndërrim”, thotë Krasniqi.
Në këtë shkollë, në ciklin e ulët janë gjithsej 45 paralele, ndërsa shkolla i ka vetëm 41 klasa.
“Ne nuk kemi mundësi të realizojmë mësimin tërë ditor me ciklin e ulët. Pa tjetër na duhet të kemi edhe një objekt”, shton ajo.
Kreu i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, thotë se ka numër të lartë nxënësish në disa shkolla, por nuk ka treguar nëse do të ketë ndonjë zgjidhje të shpejtë për objektet që nevojiten për mësimin tërë ditor.
“Aktualisht, situata është më e rënduar në shkollat ‘Ismail Qemali’, ‘Dardania’ dhe ‘Hasan Prishtina’”, thotë Shahini për Radio Kosovën.
“Kemi vërejtur një trend gjatë muajve të fundit, që ka shtuar interesimin nga këto shkolla drejt shkollave me mësim tërë ditor”, tha ai.
Sidoqoftë, njohës të fushës së arsimit në vazhdimësi rekomandojnë se është i domosdoshëm ndërtimi i shkollave të reja, zgjerimi dhe renovimi i shkollave ekzistuese, riorganizimi i tyre sipas lagjeve, si dhe investimi në teknologji dhe digjitalizim.