
Thaçi nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë, thotë Rubini
Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Rubini tha se nuk e shihte Hashim Thaçin si faktor kryesor në Konferencën e Rambujesë, por si një përfaqësues të qëndrimeve të delegacionit shqiptar. Sipas tij, Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime pa u konsultuar me të tjerët.
“Ai ishte një person të cilit i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare, ashtu siç ishte ajo në atë kohë. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë. Thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra, diku e fshehur, zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm. Kështu që atij i duhej të merrte leje nga ata. Ai nuk kishte mundësi vetë. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla apo kushte. Prandaj, kur donim të bënim diçka shumë të rëndësishme, ai duhej të komunikonte me persona të tjerë për të marrë miratimin”, tha Rubini.
Ish-diplomati amerikan deklaroi para Gjykatës Speciale se, për të arritur një marrëveshje paqeje, ishte e domosdoshme të arrihej pajtimi edhe me faktorin ushtarak, andaj Thaçi kryesonte delegacionin në Rambuje.
"Ishte i shqetësuar dhe tha se ishte nën presionin e komandantëve të UÇK-së në Kosovë dhe të financuesve të saj nga Evropa. Ata do ta konsideronin tradhtar. Ai ndjente se, po ta humbiste mbështetjen e Albrightit si mike, kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë për kauzën e tij”, ka deklarua Rubin, icili shtoi se pas një takimi që kishte pasur me sekretaren amerikane Madeleine Albright, James Rubin tha se kishte bërë një shëtitje me Hashim Thaçin, gjatë së cilës ky i fundit i kishte shprehur shqetësimin dhe presionin që ndiente nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjithashtu Rubin theksoi se gjatë asaj shëtitjeje, koha ishte e ftohtë dhe se Thaçi kishte refuzuar të vishte pallton që ai i kishte ofruar. Për këtë ngjarje u pyet edhe në gjykatë dhe Rubin e pohoi se ishte e vërtetë.
Ai shtoi se Rusia dhe disa vende të tjera kërkonin që në dokumente të mos përmendej fjala “pavarësi”, por vetëm të ndalej lufta. Ndërsa, Thaçi kishte deklaruar se nuk mund të nënshkruante asnjë dokument që nuk përmbante fjalën “pavarësi”, sepse kjo do të shihej si tërheqje nga synimi për pavarësinë e vendit.