Shqiptarët në veri kërcënohen nga “Elektroserver”-i me shkyçje nga rryma
Foto: Laura Hasani

Shqiptarët në veri kërcënohen nga “Elektroserver”-i me shkyçje nga rryma

Aktuale September 15, 2025 - 12:51

Banorët e lagjes “Lugina e Doktorëve” në Mitrovicë të Veriut kanë dërguar një kërkesë publike për mbrojtjen e tyre nga një kërcenim i shoqërisë private “Elektroserver”.

Sipas banorëve, shoqëria ka dërguar kohëve të fundit letra pa vulë zyrtare, numër protokolli ose nënshkrim, duke i kërkuar secilës familje pagesa deri në 1.000 euro, me kërcënimin se në të kundërtën do të ndërpritet furnizimi me energji elektrike.

Banorët kërkojnë që:

Kërcënimi për ndërprerje të energjisë të konsiderohet i paligjshëm.

Pagesa paushall për rrymën elektrike të hidhet poshtë dhe pagesa të bëhet vetëm sipas matësit të energjisë për çdo familje.

Çdo familje të ketë qasje në leximin e matësve elektrikë në çdo kohë dhe fletëpagesat të dorëzohen të mbyllura individualisht.

Adresa zyrtare e lagjes të shënohet si “Lagjja Lugina e Doktorëve, Mitrovicë e Veriut” dhe jo në mënyrë alternative.

Të respektohet dygjuhësia shqip dhe serbisht në të gjitha institucionet shtetërore dhe private.

Të formohet një komision komunal për mbrojtjen e qytetarëve nga keqpërdoruesit publikë dhe privatë.

Banorët theksojnë se gjatë tentativës për të vizituar selinë e “Elektroserver”-it, janë pritur në mënyrë përbuzëse dhe pa përkthyes, me flamuj të Serbisë mbi tavolinë, duke ndjerë trajtim diskriminues.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve komunale dhe shtetërore për të mbrojtur të drejtën e tyre për furnizim të rregullt me energji elektrike dhe për të parandaluar çdo keqpërdorim të mundshëm. /Telegrafi