
Sasia e manganit në Badoc ende e lartë, IKSHPK-ja apelon të mos përdoret uji për pije
Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar përsëri për gjendje aktuale me fenomenin “Mangan” në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Në njoftimin e KRU “Prishtina” thuhet se rezultatet e analizave të fundit laboratorike tregojnë rritjen e nivelit të manganit në ujin e liqenit të Badocit dhe në rrjetin shpërndarës.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator 2025 ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.
Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në liqenin e Badocit të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.
IKSHPK-ja thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.
IKSHPK-ja ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.
KRU “Prishtina” SHA ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme:
Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;
Intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.
Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.
Për çdo informacion të përditësuar, njoftojeni këtu.