Ish-diplomati amerikan për Thaçin: Trajtim i pazakontë ndaj një burrë shteti, që është vetëdorëzuar

Ish-diplomati amerikan për Thaçin: Trajtim i pazakontë ndaj një burrë shteti, që është vetëdorëzuar

Aktuale September 16, 2025 - 11:48

Ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin, po vazhdon dhe sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Rubini tha se për të është e pakuptimtë se si trajtohet ish-presidenti Hashim Thaçi që është vetëdorëzuar.

“Fakti që janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim më shqetëson, pasi që këta janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me gjykatën. Në rastin e të akuzuarit Hashim Thaçi, nuk e kuptoj pse vazhdon të jetë në paraburgim. Unë mendoj se kjo është e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Jam takuar me ekipin e mbrojtjes në Uashington, kam kaluar pesë vite duke pritur që të nis gjykimi. Kam pyetur njerëz të fushave e juristë a është normale kjo më kanë thënë që jo, është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti që është vetëdorëzuar”, deklaroi ai.

Ish-diplomati amerikan u pyet edhe nga prokurori për një artikull të “New York Times”, e ku pretendohet se Thaçi së bashku me Azem Sylën dhe Xhavit Halitin kanë dhënë urdhër për disa vrasje të politikanëve.

“Nuk kemi informacione për të mbështetur këto pretendime, se ka pasur aktivitete të tilla ose veprimtari të vrasjeve, ose urdhrave të ekzekutimit që janë dhënë nga lidershipi. Është e vështire të komentohet më tej për pretendime qe nuk janë të mbështetura”.

Ai theksoi se nuk ka asnjë informacion për të konfirmuar se lidershipi ka dhënë urdhra për vrasje.