Rubin: Vetëm Thaçi e kishte premtimin e SHBA-së për bombardim

Rubin: Vetëm Thaçi e kishte premtimin e SHBA-së për bombardim

Aktuale September 16, 2025 - 16:34

Ish Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin tregoi detaje nga negociatat për përfundimin e luftës në Kosovë, të cilat bëheshin në Rambuje në vitin 1999.

Diplomati amerikan kujtoi gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë se i kishin bindur europianët që Marrëveshja e Rambujesë dhe bombardimet më pas ishin “lëvizja më e duhur”.

“Disa persona mendonin se nuk ishte lëvizja e duhur, por Sekretarja Albright mendonte që ishte lëvizja e duhur dhe Presidenti Clinton mendonte të njëjtën gjë. Ne ua mbushëm mendjen europianëve që kjo ishte lëvizja më e duhur dhe u thamë që sigurisht, ne do të ndërmarrim një lëvizje dramatike, por njëkohësisht ne do të jemi edhe diplomatë”, tha ai.

Rubin tregoi se cilat ishin paralajmërimet e SHBA-së për shqiptarët dhe serbët në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes.

“U thamë të dyja palëve: kjo është marrëveshja dhe në rastin e forcave serbe, iu thamë, në qoftë se nuk e pranoni marrëveshjen, ju do të sulmoheni nga ajri. Ndërsa palës shqiptare i thamë: pajtohuni me këtë marrëveshje, ose nuk do të keni më përkrahjen tonë”.