Shqipëria avancon në negociatat e anëtarësimit

Shqipëria avancon në negociatat e anëtarësimit

Aktuale September 16, 2025 - 20:26

Shqipëria ka hapur grupkapitullin e radhës në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deri më tani, vetëm një grupkapitull ka mbetur i pahapur, por pritet që edhe ai të hapet brenda këtij viti, çka do t’i hapë Shqipërisë rrugën drejt mbylljes së kapitujve.

Përparimi i Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit është cilësuar mbresëlënës.

“Pra, sapo të kemi të gjithë grupkapitujt, atëherë, sa më shpejt që të jetë e mundur, do të fillojmë me mbylljen e kapitujve, duke tentuar të përmbushim ambicien tuaj për mbylljen e tyre deri në vitin 2027”, tha Marta Kos, Komisionere për Zgjerim.

Në procesin e nisur vetëm një vit më parë, Shqipëria është pozicionuar në vendin e dytë në listën e shteteve lidere në procesin e anëtarësimit, menjëherë pas Malit të Zi.

“U shpërblyem dhe sot hapëm një tjetër grupkapitull. Në fakt, janë pesë grupkapituj të hapur brenda 11 muajve. Sipas mendimit tim, kjo përbën një rekord dhe mezi presim të hapim edhe klasterin e fundit para përfundimit të këtij viti. E di që është një plan ambicioz, por është diçka që duam ta realizojmë dhe shpresojmë se do t’ia dalim së bashku”, thaksoi Edi Rama kryeministër i Shqipërisë.

Nëse Shqipëria arrin të mbyllë të gjitha kapitujt deri në fund të vitit 2027, atëherë mbetet reale mundësia që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade./rtk