Rubini për Thaçin: Ishte drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar

Rubini për Thaçin: Ishte drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar

Aktuale September 17, 2025 - 10:15

James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan po e vazhdon dëshminë e tij edhe sot në Hagë, pas dëshmisë së tij që e ka bërë për dy ditë radhazi.

Ai është pyetur në lidhje me një dokumentar që ishte publikuar nga BBC-ja ku flisnin Dugi Gorani dhe Veton Surroi, për çka tha se e njeh vetëm Veton Surroin.

Nga gjykatësi, Rubin u pyet nëse kishte dëgjuar për kërcënime që po bënte Hashim Thaçi, dhe u pyet nëse ishin kërcënime të qarta ose tërthorazi, por Rubin nuk e pranoi asnjërën nga këtë.

“Ta ndajmë pak kërcënimin fizik nga ai moral, nuk kam qenë në dijeni të ketë pasur ndonjë kërcënim fizik por e di që ka pas presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesore për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që, edhe Madeline Albright e ka kërcënuar Hashim Thaçin dhe i ka thënë se po nuk nënshkrove, po i lë njerëzit të pambrojtur nga serbët”, ka thënë Rubin.

Ai ka thënë se kishte dëgjuar që ishte kërcënuar edhe Adem Demaçi, për të cilin tha që ishte personi kryesor në lëvizjen për çlirim, e të cilin e krahasoi dhe tha se është ekuivalent i Nelson Mandelas, e që sipas Rubinit kishte një pushtet moral të jashtëzakonshëm për lëvizjen për çlirim.

Në këtë dokumentar, dëgjohej edhe sekretarja e shtetit amerikan Madeline Albright e cila për Thaçin tha “një lloj lideri”.

“Kur shkuam atje, ishte e qartë që Thaçi ishte një lloj lideri dhe e krahasuam me Jery Adams”, kishte deklaruar Albright.

Për këtë, Rubin tha se Albright kishte kërkuar nga Thaçi ta bënte një zgjidhje simbolike, ndërsa tha se Albright kishte zgjedhur fjalët duke thënë se ishte njëri prej liderëve e jo lideri.

“Unë mendoj se ajo i ka zgjedhur me shumë kujdes fjalët e saj, ajo nuk tha lideri por tha një prej liderëve dhe ka një dallim të madh këtu, ajo e krahasoj me Jery Adams. Lideri i një grupi qe uroj të udhëhiqte popullin e tij drejt lirisë. Kjo është fjala që ka përdorur edhe Presidenti Clinton, Albright dhe unë. Ne donim që ai të kthehej në një udhëheqës. Udhëheqës i një kombi që do të ishte i lirë. Meqë më pyetët për shprehjen dhe ju thatë lider, unë po ju korrigjoj. Ai ishte drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Në takim ai ishte një person si kryetar, si kryegjykatësi. Kishte pozicion udhëheqës në Rambuje. Edhe nëse ka thënë udhëheqësi i delegacionit është në rregull, por është një dallim i madh sepse ajo kërkonte atij të kërkonte aftësi udhëheqëse, këtë e kërkonim ne prej tij. Të udhëhiqte njerëzit e tij, ti largonte nga përdorimi i dhunës, t’i qonte drejt rrugës së paqes dhe kjo është e vështirë dhe këta njerëz duhet ti frymëzosh dhe besoj se ajo këtë do donte ta përcillte në mesazhin e vet, dhe besoj që atë e njihja shumë mirë”, ka thënë Rubin.