Rubin: Donim që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë

Rubin: Donim që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë

Aktuale September 17, 2025 - 10:17

Gjykatësi nga Irlanda, Fergal Gejnor, ka nisur pyetjet e tij drejtuar James Rubinit.

Ai lëshoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 të publikuar nga BBC-ja, ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.

Gjykatësi tha se dje Rubini deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.

Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës. Por, ai korrigjoi gjykatësin sa i përket deklaratës së Albrightit.

“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubini.

“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubini.

Gjykatësi po ashtu e pyeti nëse Rubini ishte në dijeni se Thaçi kishte kërcënuar dy anëtarë të delegacionit të Kosovës në Rambuje që nuk ishin pjesë e UÇK-së, pasi në videon e transmetuar u shfaqën duke folur në atë dokumentar Veton Surroi dhe Dukagjin Gorani.

“Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albrighti e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët... kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubini.