Refuzohet masa e sigurisë për pezullimin e aktiviteteve mësimore të vitit të parë të Programit të Fizioterapisë në Fakultetin e Mjekësisë
Foto: Laura Hasani

Refuzohet masa e sigurisë për pezullimin e aktiviteteve mësimore të vitit të parë të Programit të Fizioterapisë në Fakultetin e Mjekësisë

Aktuale September 17, 2025 - 12:02

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Odës se Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) kundër Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe palës me interes Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, me të cilin ka kërkuar që të caktohet masa e sigurisë dhe pezullimi i të gjitha veprimeve administrative dhe të gjitha aktiviteteve didaktike dhe mësimore të vitit të parë të programit të studentëve në Fizioterapi dhe rehabilitim.

Ky program është në kuadër të Universitetit të Prishtinës - Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa masa ishte kërkuar të vendoset deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Në vendimin e 12 shtatorit 2025, thuhet se për vendosjen e kësaj mase dhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit, duhet të përmbushen dy kushte, përkatësisht se ekzekutimi të sjellë një dëm të rëndë, të pakthyeshëm ndaj interesave të propozuesit të masës dhe marrja e masës së sigurisë nuk cenon rëndë interesin publik.

Sipas gjykatës, ky propozim i Odës së Fizioterapeutëve nuk përmban asnjë fakt të bazuar në ndonjë provë me të cilën paditësi do t’i bënte të besueshme pretendimet e tij se pezullimi i pezullimi i të gjitha veprimeve administrative dhe të gjitha aktiviteteve mësimore në vitin e parë të programit të studentëve në Fizioterapi dhe rehabilitim në Fakultetin e Mjekësisë në UP, do t’i sjellë dëm të rëndë dhe të pakthyeshëm ndaj interesave te tij.

“Dhe se si marrja e masës së sigurisë nuk cenon rëndë interesin publik, kushte këto ligjore të cilat duhet të provohen nga paditësi/propozuesi, që pastaj gjykata të mund të vendos për pezullim të veprimeve administrative”, thuhet në arsyetim.

Krejt në fund Gjykata thekson se ky aktvendim nuk e gjykon epilogun përfundimtar të çështjes kryesore në këtë konflikt administrativ.

Kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa në Gjykatën e Apelit brenda 7 ditësh. /BetimipërDrejtësi