
Deklarata e Pecit për protestën në Hagë, Miftaraj: Çfarë hipokrizie, gjyqësorin në Kosovë e sulmon sa herë i jepet rasti
Faton Peci, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka komentuar protestën e mbajtur në Hagë, duke u shprehur i “shqetësuar” me pamjet nga atje.
Ai ka thënë protesta atje i shkakton drojë atij se ‘‘mundemi me dëmtu procesin, në disfavor të figurave të Kosovës’’.
“E di që ka pasur një protestë në Hagë. Unë personalisht e kam bindjen, pa dasht me paragjyku ose me ndiku në çfarëdo çështje të sistemit të drejtësisë, të cilin e kemi themeluar si shoqëri – mendoj se organizimi i tillë, si protesta ku edhe ajo pjesa e rrethojës në Hagë tentohet të demolohet, më shkakton drojë që mundemi me dëmtu procesin, në disfavor të figurave të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor”, u shpreh Peci.
Rreth kësaj ka reaguar Ehat Miftaraj, nga IKD-ja.
Ky i fundit e ka vlerësuar si hipokrizi deklarimin e Pecit.
Miftaraj ka deklaruar edhe se Peci e sulmon sistemin gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë sa herë që i jepet rasti.
“Çfarë hipokrizie. Në njërën anë sigurohet me ia ru pavarësinë Gjykatës Speciale në Hagë që si parim i ndarjes së pushteteve është vlerë demokratike. Në anën tjetër sulmon dhe ofendon sa herë i jepet rasti sistemin gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë, duke cenuar dhe dëmtuar rëndë parimin e ndarjes së pushteteve dhe besimin e publikut në institucionet e drejtësisë’’, ka thënë ai.