“Shqiptarët e diasporës ishin më të prerë, e donin pavarësinë menjëherë” - Williamsi për periudhën e Rambujesë

“Shqiptarët e diasporës ishin më të prerë, e donin pavarësinë menjëherë” - Williamsi për periudhën e Rambujesë

Aktuale September 17, 2025 - 15:25

Në pjesën e dytë të dëshmisë së dhënë në Gjykatën Speciale, Paul Williams është pyetur për ndikimin e diasporës ndaj Hashim Thaçit dhe faktorëve të tjerë, që ai vlerëson se kanë ushtruar kontroll të pjesshëm gjatë kohës së Rambujesë.

Te pyetja se mbi çfarë baze kishte deklaruar se shqiptarët e diasporës kishin ndikim të jashtëzakonshëm dhe ishin më të prerë se ata që ishin në Kosovë, juristi ka treguar se ishte më i afërt me ta.

“Rreth një vit para Rambujesë, isha shumë i përfshirë me komunitetin shqiptar të Kosovës në SHBA, si nëpërmjet këshillit kombëtar të Kosovës, si dhe përmes bisedave personale me anëtarë me ndikim të diasporës, deri në pikën kur ambasadori Holbrooke erdhi në New York, që të informonte komunitetin, më kërkoi edhe mua të shkoja dhe ishin të ashpër. Kam qenë shumë i përfshirë me komunitetin shqiptaro-amerikan”.

Williamsi ka zbuluar po ashtu se gjatë një takimi me Holbrooke dhe komunitetin shqiptaro-amerikan në New York, ambasadori u kishte thënë atyre “jeni më keq se shqiptarët e Kosovës”.

Pa e gjykuar se a ishte e drejtë apo jo, amerikani tha se ekzistonte përshtypja që ata ishin më të pretë, ndoshta, siç tha ai “sepse kishin hapësirën e privilegjin për kërkesa e kushte”, transmeton Klankosova.tv

“Së pari, gjatë takimeve që kishim në drekë, Holbrooke tha se “ju jeni më keq se shqiptarët e Kosovës”, sepse perceptimi ishte i atillë, i drejtë apo i padrejtë, jetonin në New York, kishin hapësirën e privilegjin të bënin kërkesa e kushte. S’po them është e drejtë apo jo, por një dimension tjetër është që kur punoja me Bujar Bukshin dhe shqiptaro-amerikanët (me të cilët kisha kontakt), ne bisedonim dhe unë gjendesha shpesh në një situatë shumë delikate për t’ua shpjeguar pozicionet apo për t’i ndryshuar qëndrimet që kishin sepse ata donin pavarësinë në ato momente. Kur them ishte delikate, them sepse unë isha jurist dhe u jepja këshilla, por duhej të isha i kujdesshëm”.