
Ishte duke dëshmuar në Hagë, por çfarë tha Rubini në intervistën për Amanpourin?
Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka përfunduar dëshminë treditore në Hagë.
Rubini, dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se Hashim Thaçi kishte rol politik dhe jo komandues mbi UÇK-në.
“Thaçi u përgjigjej komandantëve – jo anasjelltas", ka deklaruar Rubini.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka theksuar se asnjëherë nuk ka marrë informacione për përfshirje të UÇK-së në krime lufte dhe nëse do kishte, SHBA-ja do të tërhiqte mbështetjen".
Ushtria serbe ka kryer 95% të masakrave – barazimi me shqiptarët është i turpshëm", ka pohuar ai.
E, derisa ishte duke qëndruar në Hagë, Rubin ka dhënë një intervistë për ish-bashkëshorten e tij, gazetaren Christiane Amanpour.
Në intervistën e cila u publikua ditën e mërkurë në kanalin e gazetares në YouTube, ai ka theksuar se për të është interesante të rikthejë historinë.
"Jam këtu dëshmitari kryesor në mbrojtjen e Thaçit", tha ai duke shtuar se po përpiqet ta bëjë më të mirën, duke e thënë vetëm të vërtetën.
Ai ka folur edhe për periudhën e luftës, kur bënin përpjekje që Millosheviqi të hiqte dorë nga Kosova.
“Duhet të pranoj se isha pak i shqetësuar sepse e mbani mend, ne do të përpiqeshim ta bënim Milloshviqin të kapitullonte për të hequr dorë nga Kosova. Të hiqte dorë nga pushteti në Kosovë, dhe për ta bërë këtë, ai duhej të tërhiqte të gjitha forcat e tij, të pranonte fitoren e NATO-s”, ka pohuar ai, transmeton Telegrafi.
Rubini tha se është krenar që kanë arritur të ndalin luftën në Kosovë.
"Tani ja ku kemi një shembull të shkëlqyer, gjithçka ka funksionuar bukur. Kjo është një nga arsyet, dhe jam shumë krenar për këtë. Ne arritëm objektivin tonë, ndaluam luftën. Kosova tani është një vend demokratik. Millosheviqi ra nga pushteti dhe shkoi në Hagë. Dhe patëm një marrëveshje paqeje”, theksoi mes të tjerash ai", potencoi ai.
Dëshmia e Rubinit në Hagë është përcjell me vëmendje të madhe nga qytetarët dhe mediat.
Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës.
Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po mbahen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 kur edhe ishte bërë publike aktakuza ndaj tyre.
Intervistën e James Rubinit mund ta gjeni pas minutës 17:00.