Dëshmitari: Arsiqi shtiu direkt në viktimën në prill ’99 dhe u maltretua nga paramilitarët serbë

Dëshmitari: Arsiqi shtiu direkt në viktimën në prill ’99 dhe u maltretua nga paramilitarët serbë

Aktuale September 18, 2025 - 09:41

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit ndaj të akuzuarit Dushko Arsiqit, i cili ngarkohet për krime lufte, dëshmitari Artan Krasniqi deklaroi të mërkurën se ishte ndaluar dhe maltretuar nga grupi paramilitar serb, ku Arsiqi ka qenë pjesëmarrës dhe tha po ashtu se i akuzuari është personi që kishte qëlluar në viktimën B.Sh.

Dëshmitari Krasniqi deklaroi se në ditën kritike kishte qenë afër vendit të quajtur “Varrezat e Maqedoncve”, ku kishte parë një grup të armatosur serb, të pozicionuar në një livadh.

“Ishin kanë shtrirë të pozicionun dhe një pjesëmarrës i tyre i quajtur Dushko Arsiq vjen me kallashnikov në mënyrë zig-zage dhe më bërtet “skine torbu”, shtoi Krasniqi.

Sipas tij, Arsiqi kishte pasur një shami të hollë, një bluzë të zezë dhe shton se i kishte thënë që i ra në sy ngase “ka qenë serb i Kolovicës”.

Prokurori Atdhe Dema i tha dëshmitarit se diku ka thënë se e njihte Arsiqin e diku tjetër që nuk e njeh, andaj i tha se ka krijuar amulli.

“Sa i përket asaj pjese, ka mujt me qenë një keqkuptim një keqshprehje prej anës teme se faktikisht para se me ndodh te “varret e Maqedoncve” para datës 20 prill ‘99, ka qenë një serb i Kolovicës me emrin Vukashin, ku para shtëpisë së tij u pat vendos një postbllok dhe aty më ka ra me pa Dushko Arsiqin para datës 20 prill”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai deklaroi se e kishte identifikuar Dushko Arsiqin përmes fotografive në zyrën e viktimave të luftës në komunë.

“Më kujtohet personi i cili ka gjuajt direkt në B.Sh., është personi i cili gjendet në këtë sallë- Dushko Arsiq, i cili tregim me të vërtetë ma lëndon gjendjen emocionale që ajo që më ka ndodh para 26 viteve, jam duke e përjetu në këto momente”, shtoi Krasniqi.

Mbrojtësi i Arsiqit, avokati Nebojsha Vllajiq tha se dëshmitari Krasniqi nuk është i dëmtuar dhe se ndaj tij nuk është kryer krim lufte.

I pyetur se përse nuk ka deklaruar më herët lidhur me të akuzuarin, Krasniqi tha se kishte qenë shumë i sëmurë.

Po ashtu, ai tha se viktimën B.Sh., nuk e kishte njohur me emër e mbiemër në ditën kritike, por këtë e kishte kuptuar shumë më vonë në vitin 2000, nga personi që kishte gjetur eshtrat e tij.

Ndërkaq, i pyetur nga vetë Arsiqi se pse nuk kishte hulumtuar se çka i kishte ai Draganin dhe Bobanin, dëshmitari tha se interesi i tij i vetëm ishte për personin që e kishte maltretuar.

Më pas, seanca u ndërpre për të vazhduar edhe në të radhës dëshmia e dëshmitarit Krasniqi.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

Arsiqi akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15-vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psikikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Me këtë Arsiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga Neni 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.