
Williams: Donim që përmes Thaçit, UÇK-ja në negociata të kishte një diplomat e partner të besueshëm
Juristi Paul Williams ka nisur dëshminë e tij edhe sot para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.
Ai u pyet nga gjykatësi se përse ishte dhe kush e kishte zgjedhur Thaçin si kryenegociatorin e Kosovës në Hagë, raporton Zeri.info.
Williams tha se Thaçin e kishin zgjedhur me vota. Pra ishte Ibrahim Rugova, Rexhep Qoqja e vetë Thaçi. Dëshmitari shpjegoi se për negociator votoi Qosja dhe vetë Thaçi, pra ishin dy vota.
Ai theksoi po ashtu në përgjigjen e tij se ndërkombëtarët dëshironin që në krye të negociatave ta kishin një person të besueshëm, pra një partner të besueshëm.
“Ideja ishte që ekzistonte dëshira për procesin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo çështje ishte me shumë shtresa. Rugova ishte pacifisti dhe ishte pro pavarësisë, do me thënë ai nuk e hapte gojën në qoftë se nuk bie dakord për pavarësinë. Kishim punën e Bukoshit që ishte më shumë e nuancuar, punonte me amerikanët, evropianët. Ndërkohë që kishim edhe veprimin e aktorëve jo shtetëror, lëvizjet vetëvendosje që ishte e rëndësishme dhe pastaj nga ana tjetër kishim një dimension tjetër të vetëvendosjes, strategjisë për pavarësinë. Kështu që në negociata ti doje që të kishe një UÇK që të tregonte përmes veprimeve dhe fjalëve dhe angazhimeve të veta që ky person i UÇK-së të ishte një negociator, një diplomat, që mund të ishte një person ose një partner i besueshëm. Por kur i kam këshilluar klientët dhe negociatorët e paqes, unë ju kam thënë atyre që delegacioni juaj duhet të ketë personazhe të ndryshme, karaktere të ndryshme, persona me vlera të ndryshme, në mënyrë të tillë që negociatori të jetë figura kryesore. Nëgociatori duhet të sillet në mënyrë të caktuar por nga ana tjetër duhet të kemi edhe dikënd që ka më shumë aftësi kopromentuese, dikush që nuk lëshon pe, dhe sigurisht që keni nevojë edhe për një këshilltar. Dhe sigurisht që kur ndërton një ekip, duhet marrësh parasysh karakteristikat e personave çfarë vlerash dhe çfarë karaktersikash shfaqin ata. Tani që mendoj në retrospektivë, 2/3 e negociatorëve që unë kam punuar, personi i cili ka pasur autoritet, komando dhe kontrolli zakonisht nuk është në sallë, nuk është në dhomë. Për shembull kohët e fundit unë e kam këshilluar një koalicion opozitar sirian në negociatat në Gjenevë dhe i kam këshilluar ata që personi që kishte kontroll të qëndronte jashtë negociatave, por të ishte në Gjenevë dhe të qëndronte në një hotel tjetër nga aty ku qëndronte pjesa tjetër e delegacionit”, u shpreh Williams.
Pyetje, gjykatësi: Ajo që ishte si befasi ishte se zotëri Rugova nuk u zgjodh si kryetar, ndërkohë që zotëri Rugova ishte ende një figurë e spikatur dhe ishte president i zgjedhur i Kosovës apo jo?. Për këtë arsye ua bëra pyetjen dëshmitar.
Përgjigje, Williams: Po është e saktë. Ai ishte ende president i zgjedhur i Kosovës. Dhe përgjigja në pyetjen tuaj nëse ishte apo jo befasi, unë mund t’ju them që, jo nuk ishte befasi. Presidenti Rugova që ishte presidenti i parë që unë kam ofruar shërbimet e mia, pra që e kam këshilluar përmes Bujar Bukoshit, e respektonte shumë, admironte shumë çdo bisedë që një ndërkombëtar bënte me Ibrahim Rugovën. Dhe gjithmonë ai përfundonte me dy fjali dhe këto dy fjali ishin, pavarësia dhe mospërdorimi i forcës. Dhe gjatë gjithë kohës këto i kishte kryefjalët. Presidenti Rugova ka luajtur një rol të rëndësishëm në Rambuje për përfaqësimin e popullit të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar do të kishte qenë shumë i shqetësuar nëse komunitetit ndërkombëtar do t’i duhej të negocionte me të si kryenegociator. Sa i takon rolit të tij, roli i tij ishte shumë i rëndësishëm, idetë e tija pacifiste gjithashtu edhe ideali i tij për pavarësi, por nuk ishte negociator. /Zëri