
Williams: Thaçi dhe i gjithë delegacioni kosovar kërkonin pavarësi
Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje, gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se Hashim Thaçi dhe i gjithë delegacioni kosovar e kërkonin pavarësinë.
Këtë deklarim dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christopher Barthe.
“Hashim Thaçi dhe do të thosha të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës dhe ekspertët e tyre kosovarë, shqiptarë, kërkonin pavarësinë”, tha Williamsi.
Ai gjithashtu tha se ka kaluar shumë kohë duke u shpjeguar se si mund të arrihet pavarësia pa u përmendur në marrëveshje.
“Pra, pavarësia ishte e domosdoshme. Kam kaluar shumë kohë duke u shpjeguar rrugën sesi mund të arrinin pavarësinë në qoftë se fjala pavarësi nuk shkruhej në Marrëveshjen e Rambujesë’, shtoi ai.
Përveç kësaj, dëshmitari tha se Thaçi kishte studiuar në Zvicër dhe përveç kësaj, ai nuk ishte një fshatar nga zonat e thella të fshatrave në kuptimin që dinte si të sillej, ishte i qytetëruar.