
Krerët e veteranëve takojnë Ambasadorin Guerot, i kërkojnë që shqetësimet e tyre për Specialen t’i adresojë në Paris
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është pritur sot në Ambasadën e Francës në Kosovë nga ambasadori Olivier Guérot. Përfaqësuesit e OVL-së kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me Gjykatën Speciale dhe kushtet me të cilat po përballen bashkëluftëtarët e tyre.
Ata kanë kërkuar nga ambasadori francez që këto shqetësime të përcillen edhe tek institucionet më të larta të shtetit francez.
Në një njoftim në Facebook, OVL-ja ka falënderuar ambasadorin për vëmendjen, si dhe Francën për kontributin e dhënë në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm drejtësi”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë:
Sot, në Ambasadën e Francës në Kosovë u mirëpritëm nga ambasadori, z. Olivier Guérot. Shprehëm shqetësimet tona në lidhje me Gjykatën speciale dhe kushtet ndaj bashkëluftëtarëve tanë.
Nga ambasadori francez kërkuam që këto shqetësime t’i përcjellë edhe tek instancat më të larta të shtetit të tij.
Falënderojmë ambasadorin për vëmendjen, si dhe Francën, një vend mik, për kontributin e saj në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm drejtësi.