
OVL e UÇK-së shpreh shqetësimet te ambasadori francez për Gjykatën Speciale
Në një takim në Ambasadën e Francës në Kosovë, OVL e UÇK-së ka shprehur shqetësimet për Gjykatën Speciale dhe kushtet ndaj bashkëluftëtarëve, duke kërkuar nga ambasadori Olivier Guérot që ato t’i përcillen instancave më të larta franceze.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se sot është pritur në Ambasadën e Francës në Kosovë nga ambasadori Olivier Guérot.
“Shprehëm shqetësimet tona në lidhje me Gjykatën speciale dhe kushtet ndaj bashkëluftëtarëve tanë. Nga ambasadori francez kërkuam që këto shqetësime t’i përcjellë edhe tek instancat më të larta të shtetit të tij,” thuhet në njoftimin e OVL të UÇK-së
Tutje, organizata ka falënderuar ambasadorin për vëmendjen, si dhe Francën për kontributin e saj në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm drejtësi,” thekson OVL e UÇK-së në njoftim.