Shkarkohet nga detyra u.d. i drejtorit të Institutit të Psikiatrisë

Shkarkohet nga detyra u.d. i drejtorit të Institutit të Psikiatrisë

Aktuale September 19, 2025 - 14:05

Është larguar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike Shpend Haxhibeqiri.

Kështu ka bërë të ditur vetë ai, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai thotë se nuk mori asnjë sqarim profesional dhe juridik për largimin e tij, derisa shtoi se QKUK-ja vendimin e ka arsyetuar si ristrukturim.

Postimi i plotë i Shpend Haxhibeqirit:

Të dashur miq, kolegë dhe qytetarë,

Më datën 17.09.2025, u njoftova me një vendim për largimin tim nga detyra e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Ky vendim, i arsyetuar nga QKUK si “ristrukturim”, fatkeqësisht u mor pa ofruar asnjë sqarim profesional dhe juridik të nevojshëm e obligueshëm, duke lënë hapësirë për interpretime dhe duke dëmtuar besimin në menaxhimin transparent.

Arritjet gjatë mandatit tim

- Ngritja e nivelit të shërbimeve dhe standardeve profesionale në institucion.

- Forcimi i stafit dhe zhvillimi i kapaciteteve përmes punës ekipore dhe përkushtimit.

- Rritja e reputacionit të institutit, duke fituar respekt e bashkëpunim edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Transparencë më e lartë dhe bashkëpunim i ndërsjellë me institucionet relevante shëndetësore.

-Demant ndaj shpifjeve te mediave të caktuar

Ditëve të fundit janë publikuar insinuata se shkarkimi im lidhet me rastin tragjik të ndodhur jashtë institucionit tonë, pra që nuk është kompetenca jonë. Dua të jem shumë i qartë:

-Instituti ka kryer të gjitha ekzaminimet dhe procedurat në kohë, sipas standardeve profesionale dhe janë dorëzuar organeve kompetente.

-Përgjegjësia për këtë tragjedi nuk mund të zhvendoset padrejtësisht mbi institucionin tonë.

-Për katër vite me radhë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk ka pasur asnjë incident të ngjashëm, gjë që dëshmon për përkushtimin dhe seriozitetin e stafit.

Këto pretendime janë të pavërteta dhe të papranueshme, dhe i konsideroj si përpjekje për të njollosur punën e institucionit dhe arritjet tona, për çka do të merren organet e drejtësisë.

Përfundim

Integriteti im profesional dhe përkushtimi im nuk mund të hijezohen nga një vendim i tillë. Tradita ime familjare në shërbim të shëndetësisë është e njohur: babai im themelues i institucioneve mjekësore në Kosovë, motrat, bashkëshortja mjeke e profesioniste të përkushtuara, ndërsa unë vetë kam kontribuuar me vite si mjek dhe drejtues. Këto arritje dhe kjo përvojë do të mbeten gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe shëndetësisë publike.

Shëndetësia nuk duhet të jetë fushë improvizimesh dhe dëshirash personale, por një sistem i bazuar në profesionalizëm, transparencë dhe llogaridhënie. Për këtë unë do të vazhdoj të qëndroj dhe të flas hapur.