
Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia në Podujevë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë e ministra, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore dhe përurimin e shtatores së heroit të kombit, Afrim Zhita.
Në fjalën e tij hapëse, Kurti tha se, “teksa po i afrohemi përmbushjes së dekadës së katërt prej rënies së tyre, jemi bashkuar këtu në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrim Zhitisë, për të inauguruar një tjetër formë të përkujtimit të figurës së Afrim Zhitisë dhe veprës së tij”.
Duke përshkruar figurën e Afrim Zhitisë, i cili si 16-vjeçar nisi udhëtimin e tij politik, kryeministri në detyrë tha se, katër vitet që i kaloi në burg si i dënuar për aktivitetin politik të tij, i shtuan Afrimit përvojë jetësore dhe lexime teorike, duke i dhënë atij profilin e aktivistit politik shqiptar e progresist që angazhohet tërësisht për çlirimin e atdheut dhe për barazi e drejtësi. Nga burgu në përpjekje për liri, te jeta dhe te lufta për liri bashkë me Fahriun dhe me shokët e tjerë që ranë gjatë rrugës apo edhe ata që patën jetë ta jetojnë lirinë të gjallë deri sot mes nesh.
“Shtatorja e Afrim Zhitisë këtu në Lluga, e monumentalizon figurën e tij historike në një vepër publike arti. Por që të plotësohet e tërë infrastruktura kulturore e bartjes ndër gjenerata të historisë së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, sikurse edhe historisë së Bahri Faziut, Agron Rrahmanit, historisë së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe të dëshmorëve të tjerë dhe shokëve të tyre luftëtarë, kemi nevojë edhe për më shumë studime të thelluara dhe më shumë botime shkencore. Për vepra të shkruara, pra kemi nevojë, sepse e shkruar është natyra e historisë, ku ata përkasin si subjekte dhe personalitete. Dëshmorët janë dëshmi që burimi i çlirimit dhe faktori vendimtar është vet populli, prej të cilit vijnë dhe të cilit duhet t’i shërbejnë”, u shpreh ai.
“Lavdi Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, lavdi të gjithë të rënëve dëshmorë e martirë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit tonë!”, shtoi Kurti. /Zëri
