
Bajrami i përgjigjet Kurtit: Degradimi i raporteve Kosovë - SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, jo opozitën
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sot është munduar që vendimin për pezullimin e Dialogut Strategjik nga SHBA-ja ta paraqesë si qëndrim vetëm të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Ajo ka bërë me dije se Kurti sot ka tentuar që Ambasadën Amerikane në Prishtinë ta paraqesë si të veçuar nga politika e jashtme.
Në profilin e saj në Facebook, Bajrami ka shkruar se degradimi i raporteve Kosovë - SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por jo opozitën.
“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane, me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka mendu që po bën shaka me një fqinjë të rëndomtë, pra ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpuar zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje uroj shumë ta kuptojnë sa më parë që degradimi i raporteve Kosovë - SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por assesi ish opozitën. Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar për ndërprerjen e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ne angazhohemi pa ndalë që raportet tona miqësore e diplomatike t'i ruajmë e thëllojmë tutje”, ka shkruar ajo, duke ia kujtuar Kurtit edhe talljen me ish-sekretarin amerikane të shtetit.
“Natyrisht, se Kurtit nuk i duket asgjë pezullimi i procesit të fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-të sepse kurrë në jetën e tij nuk ka kontribu për të ndërtuar raporte me SHBA-të apo ndonjë aleatë tjetër të shtetit tonë. Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të Dialogut Strategjik. Për shkak të Albin Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është në sanksione të BE-së, nuk ka marrë pothuajse asnjë njohje qe 5 vjet, përjashtim njohjes që e solli Pacolli, nuk është anëtarësuar pothuajse në asnjë organizatë”, shkroi Bajrami.