Zona operacionale e KEK-ut shpallet nga KFOR-i zonë e ndaluar për fluturime

Zona operacionale e KEK-ut shpallet nga KFOR-i zonë e ndaluar për fluturime

Aktuale September 19, 2025 - 15:04

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes një komunikate për media, ka njoftuar se operacionet e Korporatës janë shpallur “Zonë të ndaluar për fluturime” nga KFOR-i.

KEK-u ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur zonë e ndaluar për fluturime (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë), transmeton Zeri.info.

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shtator të këtij viti.

Njoftimi i plotë nga KEK-u:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin publik se, bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike, objektet dhe asetet e KEK-ut kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kjo infrastrukturë përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar.

Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj. Në këtë drejtim, KEK ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, me Ref. Nr. BKPR:0736/25, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur zonë e ndaluar për fluturime (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë). Ky vendim ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2025.

Ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes.

KEK SHA shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj.

Gjithashtu, KEK SHA falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim.

Me respekt,

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetin

KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS – KEK SHA.