Veliaj kërkesë Këshillit Bashkiak: Dua të jem i pranishëm për t’u dëgjuar nga Këshilli Bashkiak
Foto: Laura Hasani

Veliaj kërkesë Këshillit Bashkiak: Dua të jem i pranishëm për t’u dëgjuar nga Këshilli Bashkiak

Aktuale September 19, 2025 - 18:59

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dërguar një kërkesë zyrtare në Këshillin Bashkiak, ku i bën thirrje anëtarëve që t’i japin mundësinë të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet në mbledhjen e 23 shtatorit, ku pritet të shqyrtohet propozimi për shkarkimin e tij nga detyra, për shkak të mungesës mbi tre muaj në funksionin e kryebashkiakut.

Sipas Euronews Albania, në letrën drejtuar Këshillit, Veliaj e cilëson mungesën si të pavullnetshme dhe rezultat i një “mase sigurie disproporcionale”, që sipas tij ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit dhe ka cënuar rëndë mandatin kushtetues të dhënë nga qytetarët.

“Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës,” thuhet në letrën e tij.

Veliaj akuzon sistemin gjyqësor për ndërprerjen e mandatit të tij pa një vendim përfundimtar fajësie dhe thotë se do ta çojë çështjen deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai thekson se nuk bëhet fjalë për interes personal, por për mbrojtjen e kontratës që ai ka me qytetarët e Tiranës.