Komuna e Podujevës rrezikon borxh miliona euro, nisi projektet pa fonde
Foto: Laura Hasani

Komuna e Podujevës rrezikon borxh miliona euro, nisi projektet pa fonde

Aktuale September 20, 2025 - 20:05

Raporti i Zyrës së Auditimit ka treguar se Komuna e Podujevës ka nisur një sërë projektesh pa pasur fonde të caktuara për to, saktësisht gjashtë prej tyre.

Njohës të çështjeve të prokurimit thonë se kjo mbetet shkelje ligjore që do ta fusë komunën në detyrime milionëshe gjersa monitorues të komunave thonë se arsyet mbesin politike

Plot projekte premtoi e disa pa to, Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi i nisi pa fonde.

Kështu të paktën ka treguar raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë komunë.

I tillë mbetet projekti për shkollën profesionale, i cili ka nisur dhe aktualisht, ka mbetur në këtë gjendje.

Sipas raportit, ndërtimi i saj në vlerë të kontraktuar 2 milion e 430 mijë e 303€ ndërsa ka pasur ndarje nga Ministria e Arsimit bazuar në marrëveshjen e bashkëfinancimit në vlerë 1 milion e 900 mijë euro.

Totali i buxhetit, sipas raportit që mungon për realizimin e këtij projekti është 530 mijë e 303 euro.

Në këto projekte hyn edhe ai i Tregut të Gjelbër ku mungesa e fondeve arrin deri në afro 1 milion.

Për njohës të çështjeve të prokurimit, kjo nënkupton se komuna po fut veten në borxhe.

Kontraktimi i projekteve pa siguruar fondet e nevojshme është shkelje ligjore që ka krijuar obligime financiare mbi 4.6 milionë euro, duke rrezikuar mosrealizimin e projekteve, detyrimin për ridedikime buxhetore dhe krijimin e kostove shtesë; nëse komuna nuk arrin të përmbushë obligimet kontraktuale, ekziston edhe rreziku i procedurave përmbarimore nga përmbaruesit privatë, me pasoja shtesë financiare për buxhetin komunal, që mund të shkojnë deri në miliona euro, që nuk janë pagesa për projektet e kontraktuara, por shpenzime për shkak të vonesave në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj operatorëve ekonomikë. – Ardit Dragusha, nga Demokracia Plus

Të njëjtin mendim ndajnë edhe monitorues të komunave të cilët thonë se pati tjera arsye prapa këtyre veprimeve.

”Është bërë me qëllime politike duke mos bërë mend pasojat që mund të dalin nga kontratat. Kjo paraqet një rrezik shumë të madh që komuna të hyjë në obligime financiare që s’do mund ti përfundoj…”, ka thënë Shemsi Jashari – Monitorues i komunave.

Përpos shkollës profesionale dhe tregut të gjelbër, kontraktimet e tjera në mungesë të fondeve ishin për këto projekte:

Ndërtimi i kanalizimit nga fshati Lluzan-Lupç, Gërdovc-Lluzhan, Majac-Lupç në mungesë prej mbi 88 mijë e 80 euro, ndërtimi i shkollës në Shajkovc me mbi një milion euro dhe ndërtimi i rrugës lidhëse nga magjistralja Podujevë –Prishtinë, në mungesë të mbi 300 mijë eurosh.

Kryetari aktual i Podujevës Shpejtim Bulliqi ka qenë i paqsshëm në telefon e përgjigje për këtë nuk kanë dhënë as nga Zyra për Media e kësaj komune.