
Musliu: Propozimi për Kosovën në NATO, përgjigja më e mirë ndaj paradës së Vuçiqit
Eksperti i sigurisë dhe themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka komentuar deklaratën e kongresistit amerikan Brian Mast lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe paradën e fundit të ushtrisë serbe në Beograd.
“Propozimi i kongresistit amerikan që anëtarësimi i Kosovës në NATO të bëhet një nga prioritetet e politikës së SHBA-së është përgjigja më e mirë për paradat e krizës dhe turpit në Serbi”, ka shkruar Musliu.
Sipas tij, parada e mbajtur në Beograd është zhvilluar në kohën kur Rusia po provokon NATO-n në krahun Lindor, ndërsa Serbia po ndjek të njëjtën linjë destabilizuese në rajon, duke u rreshtuar hapur kundër NATO-s dhe BE-së.
“Kësaj radhe, Vuçiq me paradën e tij kërcënoi edhe qytetarët e vet, të cilët tashmë kanë ndarë mendjen për ta larguar nga pushteti për shkak të korrupsionit, krimeve dhe instalimit të politikave diktatoriale,” ka shtuar Musliu.
Ndryshe, kongresisti amerikan Brian Mast, njëherësh kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punë të Jashtme, ka paraqitur një amendament për miratim në Kongres, përmes së cilit kërkohet mbështetja e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO.