Osmani në Fox News: Trumpi na ndihmoi në parandalimin e përshkallëzimeve, në maj patëm një përpjekje nga Serbia
Foto: Laura Hasani

Osmani në Fox News: Trumpi na ndihmoi në parandalimin e përshkallëzimeve, në maj patëm një përpjekje nga Serbia

Aktuale September 23, 2025 - 14:31

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka dhënë një intervistë për televizionin republikan Fox News, ku ka lavdëruar raportet e mira në mes të SHBA-së dhe Kosovës.

Osmani thotë se 95% e popullit kosovar është proamerikan, që "beson në lidershipin amerikan".

“Që prej vitit 1999 kur ushtarët amerikanë erdhën për të ruajtur jetët tona. Sot ekzistojmë të lirë dhe si shtet sovran falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Amerika nuk qëndroi mënjanë dhe nuk mbylli njërin sy në përpjekjen tonë për të mbijetuar, derisa po përjetonim gjenocid, por erdhi që të na shpëtojë dhe të na japë të drejtën që të jemi të lirë. Sot, 95% e popullit tonë janë proamerikan dhe që besojnë në lidershipin amerikan dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Osmani në Fox News.

Osmani ka thënë se Kosova ka telashe me fqinjin e saj Serbinë, e cila kohë pas kohe shkakton tensione.

“Ne kemi një fqinj që shkakton probleme kohë pas kohe. Në të kaluarën, Serbia ka shkaktuar një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor sepse udhëhiqej nga ‘Kasapi i Ballkanit’ – Millosheviq. Ka ende njerëz në lidershipin serb që dëshirojnë të kthehen në të kaluarën derisa ne shikojmë drejt së ardhmes”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani edhe një herë ka përmendur një rast të muajit maj të këtij viti, ku thotë se administrata “Trump” parandaloi eskalimin e mundshëm të situatës.

“Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes dhe në një paqe të qëndrueshme. Në shtator të vitit 2023, kishte një agresion serb kundër Republikës së Kosovës. Ne e menaxhuam situatën me ndihmën e aleatëve tonë, derisa mbetet një kërcënim i vazhdueshëm që na vjen nga Serbia. Në maj po ashtu kishte një përpjekje për ngritje tensionesh dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar eskalimin”, tha Osmani në Fox News.