
Supremja ia refuzon ankesën LVV-së ndaj Listës Serbe
Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me ankesën ndaj Listës Serbe për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.
Sot, Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e subjekti politik: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të datës 17.09.2025, transmeton Zeri.info.
“PZAP-i ka refuzuar si të pabazuar ankesën (ZL. Anr. 37/2025), e parashtruar nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, kundër subjektit politik, Lista Serbe, lidhur me pretendimet për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët gjatë Fushatës Zgjedhore për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, që do të mbahen më datë 12 tetor 2025”.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, pasi e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pathemeltë”, thuhet në njoftim.
“Kundër këtij vendimi subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën e konteston ligjshmërinë e tij, për shkak se: vendimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat përkatëse të LZP-së dhe vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe shkelje të së drejtës materiale, duke propozuar që Gjykata 2 Supreme e Kosovës të: Shfuqizojë vendimin e PZAP-it, ZL.Anr.37/2025, të datës 17.09.2025, dhe të gjejë fajtor subjektin politik Lista Serbe për nxitje të urrejtjes sipas Kodit të Mirësjelljes. PZAP, në përgjigje në ankesën e paraqitur kundër vendimit të atakuar, i konteston në tërësi thëniet ankimore dhe propozon që ankesa e subjektit politik, të refuzohet si e pabazuar, ndërsa të vërtetohet vendimi ZL.Anr.37/2025, të datës 17.09.2025. Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pathemeltë”, thuhet në vendimin e Supremës./Zëri