Bushati: Njohja e Palestinës vështirë që do ta ndryshojë situatën në terren

Bushati: Njohja e Palestinës vështirë që do ta ndryshojë situatën në terren

Aktuale September 23, 2025 - 19:38

Ditmir Bushati, ish-deputeti shqiptar ka reaguar për njohjen e Palestinës si shtet nga disa vende të G7-ës.

Sipas tij, çështja e Palestinës është ndër më të debatuarat në OKB dhe tashmë meqë shumë vende e kanë njohur ky shtet ka të drejtë të ketë misione diplomatike jashtë vendit.

Bushati tregoi arsyen që ka shtyrë këto vende që historikisht kanë qenë pro Izraelit ta njohin Palestinën.

“Të gjitha këto vende historikisht kanë treguar mbështetje të fortë për Izraelin. Madje, një dekadë më parë, asnjë prej këtyre shteteve nuk votoi në mbështetje të statusit të vëzhguesit të Palestinës në OKB. Por skenat e urisë në Gaza dhe zemërimi në rritje për egërsinë e fushatës joproporcionale ushtarake të Izraelit në përgjigje të sulmeve terroriste të 7 tetorit të Hamasit, kanë ndryshuar opinionin publik në shumë prej këtyre vendeve”, shkroi ai.

Mirëpo sipas ish-deputetit shqiptar megjithëse këto njohje janë të mirëpritura ato nuk do ta ndërrojnë situatën në terren.

“Njohja e Palestinës nga këto shtete argumentohet me "riafirmimin e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje" dhe si kontribut për një zgjidhje me dy shtete. Ndërkohë që mbështetësit e Izraelit argumentojnë se zgjidhja me dy shtete nuk mund të vijë si shpërblim ndaj Hamasit, dhe pa zhdukjen e plotë të tij nuk mund të ketë as armëpushim e as dialog që i prin një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe përfundimtare”, shkroi ai ndër tjera. /Zëri