
Serbia shkel marrëveshjen e Brukselit për Kosovën
Serbia vazhdon edhe më tej retorikën dhe lobimin kundër shtetësisë së Kosovës, pavarësisht asaj se është nënshkruese e marrëveshjes së Brukselit, ku zotohet se nuk do të kundërshtojë dhe nuk do të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Deklaratat e diplomacisë serbe, nga njohës të politikës në Serbi janë vlerësuar si propagandë për konsum të brendshëm politik.
Megjithatë, përpjekjet për ta lidhur çështjen e Kosovës me temat globale, sipas njohësve të fushës, mund ta shpijnë Serbinë drejt një izolimi edhe më të thellë ndërkombëtar dhe ta largojnë atë nga shumica e partnerëve perëndimorë.
Ndërkohë që Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në Nju Jork paralajmëron se Serbia dëshiron të shfrytëzojë, siç tha ai, “dështimet diplomatike të Prishtinës” dhe të forcojë pozitën e saj para partnerëve perëndimorë, njohësit e zhvillimeve paralajmërojnë se me hov, kryediplomati serb, shkel pjesë të marrëveshjes me të cilën Beogradi zyrtar, është zotuar se nuk do ta pengojë integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Dushan Janjiq “Drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike VOX “Beogradi prej vitesh i interpreton në mënyrë selektive detyrimet e marra, ndonëse Marrëveshja e Ohrit, e cila përbën de facto njohje, përcakton qartë se Serbia nuk duhet të zhvillojë politikë aktive kundër njohjes së Kosovës dhe as të bllokojë integrimin e saj ndërkombëtar. Kjo qasje shkel frymën e marrëveshjes dhe tregon mungesë interesi për normalizim,” tha Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike.
Pavarësisht se Serbia nuk është zotuar ta njohë Kosovën, Janjiq nënvizon se zotimi i Serbisë është të mos e pengojë këtë proces.
Marko Gjuriq, me rastin e pjesëmarrjes së delegacionit serb në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, deklaroi se Serbia “po përgatit ndryshimin e qëndrimit të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare” lidhur me Kosovën, pa dhënë hollësi.
Analistët vlerësojnë se kjo deklaratë mbeti e paqartë dhe ishte më shumë e drejtuar për publikun e brendshëm sesa për partnerët ndërkombëtarë.
“Në thelb bëhet fjalë për një sjellje të motivuar politikisht, e cila u drejtohet kryesisht votuesve të krahut të djathtë, atyre që presin mesazhin se Vuçiq nuk e ka “tradhtuar Kosovën””, tha Janjiq.
Përpjekjet për ta lidhur çështjen e Kosovës me temat globale, siç është njohja e Palestinës, sipas njohësve të politikës, mund ta shpijnë Serbinë drejt një izolimi edhe më të thellë ndërkombëtar dhe ta largojnë atë nga shumica e partnerëve perëndimorë./rtk