Shëndetësi, arsim e mbrojtje - Kosova dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin

Shëndetësi, arsim e mbrojtje - Kosova dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin

Aktuale September 24, 2025 - 10:58

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, në New York, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë këtij takimi u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve në proces si njohja e ndërsjellë e patentë shoferëve, bashkëpunimi në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje civile.

Palët ranë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët për tregti dhe ekonomi, me synim që miqësia mes dy vendeve të reflektohet drejtpërdrejt në zhvillim për qytetarët, njofton MPJD-ja.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe përfshirjes së të rinjve në proceset demokratike.

Ministrja Gërvalla ka thënë se “forcimi i demokracisë kalon përmes përfshirjes së të rinjve”, duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës dhe Kroacisë për t’i dhënë brezit të ri hapësirën që meriton.

Në fund të takimit, Gërvalla shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në shtetndërtimin e Kosovës, duke e konsideruar Zagrebin një partner të çmuar dhe mik të përhershëm.