
Gjermania me kritika për politikën kosovare, bën thirrje për krijimin e institucioneve dhe respektim të Kushtetutës
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Bottcher, ka kritikuar politikën në vend dhe ka theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës, si dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë për të garantuar funksionimin normal të shtetit.
Ai ka vënë theksin mbi nevojën që parlamenti të formojë një qeveri të qëndrueshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ndikojë negativisht në interesin e investitorëve dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Bottcheri ka theksuar se është përgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të parlamentit të përmbushin pritjet e qytetarëve dhe të konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën.
“Dua të them diçka kritike për politikën këtu. Pra, është përgjegjësi e partive politike dhe e anëtarëve të parlamentit që të përmbushin pritjet e qytetarëve. Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit që ta konstituojnë Kuvendin në përputhje me kushtetutën dhe të formojnë e zgjedhin një qeveri që ta drejtojë vendin. Dhe nëse Kuvendi konstaton se rruga më e mirë përpara janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë le të jetë ashtu”, tha ai.
Ai ka paralajmëruar se çdo vonesë në formimin e qeverisë dhe avancimin e tranzicionit energjetik rrezikon interesin e investitorëve dhe sjell humbje të drejtpërdrejta ekonomike.
“Çdo ditë vonese në formimin e qeverisë dhe në avancimin e tranzicionit energjetik, Kosova rrezikon të humbasë interesin e investitorëve. Dhe kjo nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenie të ardhshme”, ka shtuar Bottcheri.

Ai këto deklarata i bëri gjatë organizimit dyditor të "Kosova Energy Forum" dhe "Green Business Expo 2025", ngjarje kjo që synon të ofrojë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme. /EO