Kryeziu-Hyseni: Radoiçiqi, Vuçiqi dhe Beogradi – përgjegjësit për sulmin në Banjskë
Foto: Laura Hasani

Kryeziu-Hyseni: Radoiçiqi, Vuçiqi dhe Beogradi – përgjegjësit për sulmin në Banjskë

Aktuale September 25, 2025 - 09:57

Arbreshë Kryeziu-Hyseni në “Debat Plus” ka folur lidhur me sulmin e Banjskës.

Ajo ka thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën dhe mundësinë e saj për të dëshmuar ndërkombëtarisht se i vetmi person përgjegjës për sulmin në Banjskë, dy vjet më parë, është Milan Radoiçiq.

“Sigurisht, ai nuk mund të mbahet si i vetmi përgjegjës për këtë sulm, sepse siç e kemi thënë ne në vazhdimësi dhe siç është konfirmuar në njëfarë forme edhe me fotografinë që e pamë nga Vox anketa që e ka publikuar, vetëm sa konfirmohet se lidhja ka qenë me Aleksandar Vuçiqin”, ka thënë ajo.

Tutje, deputetja Kryeziu-Hyseni ka theksuar se edhe si Lëvizje Vetëvendosje, prej kur ka ndodhur sulmi dhe prej kur janë dhënë argumentet që na çojnë drejt këtyre fakteve, është e qartë se përgjegjës për këtë sulm është Beogradi.

“Të vetmit përgjegjës për këtë sulm janë Vuçiqi, Beogradi dhe Milan Radoiçiq si urë lidhëse e tyre për ta kryer sulmin terrorist brenda territorit të Republikës së Kosovës, i cili në fakt ka pasur të vetmin qëllim aneksimin e pjesës veriore të Republikës së Kosovës”.

“Fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur, fatkeqësisht kemi një rreshter të vrarë, por besoj që dëmi që do të mund të kishte qenë nëse kjo do të kishte ndodhur, atëherë do të ishte shumë më i madh”, ka thënë ajo, duke shtuar se institucionet e vendit kanë qenë të përgjegjshme dhe kanë treguar profesionalizëm.