
Zvogëlohen listat e pritjes në Kirurgjinë e Fëmijëve në QKUK
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se listat e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK janë zvogëluar dukshëm.
Në njoftim thuhet se ky sukses është arritur falë punës dhe përkushtimit të stafit shëndetësor, si dhe mbështetjes institucionale. Derisa dikur pritja për ndërhyrje kirurgjike zgjaste mbi një vit, tashmë kjo kohë është reduktuar në më pak se katër muaj.
Falë angazhimit të 14 kirurgëve të fëmijëve, anesteziologëve dhe stafit të infermierëve e mbështetës, vetëm gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti janë kryer mbi 1 mijë operacione në dy salla operative.
SHSKUK-ja bën të ditur se sallat e tjera nuk janë funksionalizuar për shkak të mungesës së anesteziologëve. Salla e tretë shfrytëzohet kur ka nevojë për intervenime të Klinikës së Pediatrisë, Mjekimit Intenziv Pediatrik, Neurokirurgjisë, ORL-së dhe klinikave të tjera, ndërsa në sallën e katërt kanë kryer operacione ekipet mjekësore nga SHBA-ja dhe Turqia për rastet kardiokirurgjike tek fëmijët – shifra këto që nuk përfshihen në numrin e përgjithshëm të operacioneve.
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve është duke u shënuar progres i vazhdueshëm edhe në zhvillimin e procedurave të reja diagnostike dhe terapeutike. Aktualisht punohet me laparoskop për një gamë të gjerë operacionesh, si dhe me litotripsi lazerike e ureterorenoskopi, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë edhe endoskopia e traktit.