
Delegacioni i Ambasadës gjermane viziton Qendrën Korrektuese në Dubravë
Një delegacion nga Ambasada Gjermane në Kosovë ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Qendrën Korrektuese në Dubravë, me qëllim njohjen më të afërt me funksionimin e sistemit korrektues në vend dhe praktikat që zbatohen në këtë institucion,, njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Delegacioni gjerman u kryesua nga Sekretari i Parë i Ambasadës, Frank Hilla, i shoqëruar nga z. Arben Lubach, përfaqësues nga zyra e Këshillit të Evropës. Ata u pritën nga Ushtruesi i Detyrës së Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Besar Gashi, Drejtori i Qendrës Korrektuese në Dubravë, Sami Gashi, dhe Drejtori i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, Milazim Gjocaj.
Gjatë takimit, palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të institucioneve korrektuese, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në këtë sektor. Zyrtarët gjermanë shprehën interesimin e tyre për mbështetjen e mëtejme të sistemit të burgjeve në Kosovë, përmes projekteve konkrete që synojnë fuqizimin dhe modernizimin e tij.
Sipas njoftimit të SHKK-së në takim është theksuar gjithashtu rëndësia e koordinimit të ngushtë me Këshillin e Evropës, si një partner strategjik i Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe roli mbështetës i Ambasadës Gjermane në realizimin e projekteve reformuese në këtë fushë.