
Kurti nis takimet në New York me kongresistin republikan, Keith Self
Takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i nisi me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Keith Self, të cilin e mirëpriti në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Neë York.
“Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA”
“Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje. Ndër të tjera, ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, transmeton Zeri.info.
Gjatë takimit, gjithashtu thuhet se, u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në SHBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte.
Kryeministri e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi atë për qëndrimet dhe përkrahjen publike të tij ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike, teksa theksoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj për bashkëpunim edhe më të afërt me miqtë tanë në Kongres dhe me qeverinë amerikane në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve.
Kurti po qëndron në Neë York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. /Zëri