KMSHK: Raportimi i tragjedive të bëhet me kujdes dhe profesionalizëm
Foto: Laura Hasani

KMSHK: Raportimi i tragjedive të bëhet me kujdes dhe profesionalizëm

Aktuale September 26, 2025 - 19:55

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka bërë apel që raportimi për tragjedi të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Në komunikatën e tij, Këshilli thekson se vetëm kur ka interes të lartë publik, mediat duhet të raportojnë për ngjarjet e rënda.

Sipas Këshillit, ndaj të gjithë të prekurve nga tragjedia duhet pasur “qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion”.

Këshilli apelon që mediat të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe të tregojnë empati dhe vetëpërmbajtje gjatë raportimit. “Mediat duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit,” thuhet në deklaratë.

Gjjithashtu kërkon që fotografitë, videot dhe incizimet e viktimave të aksidenteve, dhunës, veprave penale apo fatkeqësive natyrore të mos publikohen pa mbuluar identitetin ose trupin e tyre, veçanërisht fëmijët.

“Publikimi i fotografive ose videove të tilla do të konsiderohet fyerje për ndjenjat e familjarëve dhe i ndjeshëm për publikun”, thekson Këshilli.

Organizata thekson se gazetarët duhet të tregojnë kujdes të veçantë për kategoritë e cenueshme të shoqërisë dhe gjendjen emocionale të të afërmve të viktimave, duke shmangur raportimin sensacional. Për çdo material mediatik të ndjeshëm, Këshilli rekomandon vendosjen e paralajmërimeve për përmbajtjen e papërshtatshme.

“Është e nevojshme që të mbrohet identiteti i viktimave. Publikimi i tyre varet nga interesi publik dhe mbetet në diskrecionin e mediave, bazuar në kodin e etikës,” thekson Këshilli.