RTK-ja bllokon spotin e Listës Serbe për gjuhë urrejtjeje
Foto: Laura Hasani

RTK-ja bllokon spotin e Listës Serbe për gjuhë urrejtjeje

Aktuale September 26, 2025 - 21:32

RTK-ja nuk do ta transmetojë spotin promovues të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për shkak të përmbajtjes me gjuhë të urrejtjes dhe shkeljes së rendit kushtetues. Vendimi është mbështetur edhe nga Komisioni i Pavarur për Medie, i cili ka konstatuar se spoti përmban thirrje që bien ndesh me Kodin e Etikës.

Radiotelevizioni i Kosovës, në hapësirën e spoteve pa pagesë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, nuk do të transmetojë spotin promovues të Listës Serbe për shkak të përmbajtjes me gjuhë të urrejtjes dhe shkeljes së rendit kushtetues. Përgjegjësi i ekipit të zgjedhjeve në RTK, Lorik Arifaj thekson shkeljet që përmban ky spot dhe pse është i papranueshëm për transmetim.

"Radio Televizioni i Kosovës nuk e ka transmetuar spotin promovues të fushatës për zgjedhjet lokale të Listës Serbe për shkak se nuk i plotëson standardet, ka thirrje për gjuhë të urrejtjes dhe cenon rendin kushtetues si spot. Në spot ka përmbajtje të tilla si: “Deri kur populli duhet ta durojë terrorin”, “të çlirohen komunat e veriut” si dhe “të lirohen shiritat”, duke aluduar në rihapjen e institucioneve paralele. Si i tillë, spoti është i papranueshëm për transmetuesin publik dhe nuk do të transmetohet. Ne mbetemi të përkushtuar si televizion publik që të respektojmë çdo përmbajtje që i respekton standardet profesionale dhe kodin etik", tha Arifaj.

Edhe Komisioni i Pavarur për Media ia ka konfirmuar RTK-së përmbajtjen e këtij spoti. KPM ka gjetur shkelje të Kodit të Etikës, të cilat bien ndesh me rendin kushtetues të Kosovës, thuhet në përgjigje.

Në bazë të raportit të monitorimit të datës 22 shtator 2025, Zyra Ekzekutive e KPM-së ka gjetur se OSHMA TV Puls, më 18 shtator, duke filluar nga ora 17:10, në bllokun reklamues politik të fushatës, ka transmetuar një spot politik me pagesë të Listës Serbe me këtë përmbajtje: “Çdo ditë, populli me të drejtë pyet, si ta durojmë terrorin, si ta rivendosim lirinë, si t'i mbajmë fëmijët këtu, si të mbijetojmë?”.

Përmbajtja e spotit politik të transmetuar me përdorimin e fjalëve “Si ta durojmë terrorin dhe të rivendosim lirinë?” është shprehje që bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Është e rëndësishme të sqarohet se KPM-ja nuk i ka ndaluar spotet politike si formë të komunikimit politik komercial, gjë që mbetet e drejtë e çdo subjekti politik të certifikuar. Përkundrazi, veprimi i KPM-së ka të bëjë vetëm me gjuhën e përdorur brenda një spoti të caktuar politik, i cili u konstatua se ishte në shkelje të rendit kushtetues dhe publik të Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarim.

RTK përmes telefonit ka kontaktuar partinë Lista Serbe për të marrë një përgjigje lidhur me shkeljet e gjetura nga KPM, por nuk ka marrë asnjë reagim. Në një komunikim me Zoran Mojsiloviq nga kjo parti, i cili fillimisht i tha RTK-së se Igor Simiq mund të informojë më mirë lidhur me këtë çështje dhe se ai vetë do të komunikojë me të për të dhënë një përgjigje, ndërpreu telefonin pasi iu bë me dije që biseda do të merrej si deklaratë për këtë lajm.

Lista Serbe deri më tani nuk ka kthyer përgjigje për përmbajtjen e spotit promovues për zgjedhjet lokale dhe as nuk ka konfirmuar nëse do ta ndryshojë atë.

Me përmbajtjen aktuale, RTK-ja nuk do ta transmetojë spotin.