
Kosova siguron 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal
Për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë ka arritur të sigurojë 85 mijë doza të vaksinave kundër gripit sezonal. Bëhet e ditur se vaksinimi do të fillojë nga java e parë e tetorit.
Këtë e ka konfirmuar për RTK-në edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, duke nënvizuar se vaksinat tani janë në depo dhe gjatë ditëve në vijim do të bëhet shpërndarja në nivel vendi.
Ndërkohë qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth gripit sezonal.
Ka nga ta që vaksinohen rregullisht, ndërsa të tjerë që kushtojnë më shumë rëndësi ushqimit dhe veshmbathjes adekuate për sezonin.
“Në pranverë dhe në vjeshtë, dy herë në vit e marrë vaksinën. Ka efekt shumë të mirë, 80 për qind të mbrojnë”, tha një qytetar.
Kategoritë më të rrezikuara nga gripi sezonal sipas specialistëve mjekësorë janë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje sidomos këtyre kategorive, që të vaksinohen, pasi vaksinimi mbetet mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin.