Çitaku kritikon Kurtin pas deklaratave në SHBA: Problemet e Amerikës nuk janë të tuat
Foto: Laura Hasani

Çitaku kritikon Kurtin pas deklaratave në SHBA: Problemet e Amerikës nuk janë të tuat

Aktuale September 28, 2025 - 22:01

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave të tij në një takim me studentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti tha se Qeveria që ai udhëheq nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit në veri të vendit, të banuar kryesisht me serbë. Ai gjithashtu shtoi se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe në veri dhe theksoi se disa probleme nuk duhet t’u lihen gjeneratave të ardhshme.

Në reagimin e saj, Çitaku i quajti deklaratat e Kurtit “të gërditshme” dhe e akuzoi atë për “delir dhe vetëmadhësi”.

“Problemet e Amerikës nuk mund të jenë të tuat, Albin, edhe sikur të doje ti. A e kupton çfarë gjendje deliri dhe vetëmadhështie duhet për të folur në atë mënyrë? E pastaj të japësh leksione për demokraci e sundim të ligjit… Kushtetutën e keni shkelur me vetëdije dhjetëra herë. Kabineti qeveritar ose është me aktakuza, ose nën hetime. Vetë refuzon të paraqitet në prokurori për aferat multimilionëshe. Dhe megjithatë, flet për rend e ligj. Gërdi!”, ka shkruar ajo në Facebook.