Mjeku kosovar i arrestuar për përndjekjen e moderatores është psikiatër i fëmijëve në QKUK

Mjeku kosovar i arrestuar për përndjekjen e moderatores është psikiatër i fëmijëve në QKUK

Aktuale September 29, 2025 - 10:13

Mjeku kosovar Behar Kamberi ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit në Shqipëri, nën dyshimin se është përfshirë në një veprimtari të kundërligjshme. 42-vjeçari u arrestua nën akuzën e përndjekjes së moderatores sportive, Albana Bejko.

Kamberi, emri i të cilit doli në të gjitha mediat shqiptare, është psikiatër i fëmijëve dhe adoleshentëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka njoftuar gazetarja Saranda Ramaj në profilin e saj në Facebook.

Siç u raportua nga mediat në Shqipëri, psikiatri ka ndjekur vazhdimisht viktimën, duke u shfaqur në mënyrë të përsëritur pranë banesës së saj, gjë që ka shkaktuar shqetësim të thellë te ajo – derisa ia bëri “gropën” për ta kapur policia.

Bazuar në informacionet e para, moderatorja ka bashkëpunuar me Policinë për të organizuar një takim në një zonë të Tiranës, ku mjeku ishte ftuar. Në momentin që ai ka mbërritur në vendin e caktuar, oficerët kanë ndërhyrë dhe kanë kryer arrestimin e tij.

Behar Kamberi ndodhet aktualisht në paraburgim në ambientet e burgut “Mine Peza”, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të përndjekjes.