
Komandantit serb i falën dy vjet burgim për krime lufte në Kosovë
Rrugën për në Serbi, e mori dy vjet më herët se që u planifikua.
Kështu, i dënuari për krime lufte në Kosovë, arriti të dielën në shtetin serb.
Kjo meqë, ish-komandanti i Armatës së 3-të të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, u lirua nga burgu në Finlandë.
Këtu Pavkovic, po e vuante dënimin prej 22 vjet burgim, meqë u gjet fajtor për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.
Kërkesën për lirimin e tij të parakohshëm, e bëri vet qeveria serbe i cili u miratua nga Mekanizmi në Hagë.
Krejt kjo me arsyetimin, se ish-gjenerali famëkeq serb, është në gjendje të rëndë shëndetësore.
I lumtur me rikthimin e Pavkoviq në Serbi, u shpreh Presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Jam i lumtur që ai jetoi për të parë ditën kur mund të shikonte qiellin e lirë të vendit të tij nga toka e lirë e Serbisë së tij”, u shpreh Vuçiq.
Por, cila ishte veprimtaria e Pavkoviq, gjatë luftës së fundit në Kosovë?
“Ka qenë njëri nder përgjegjësit kryesor për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Që nga fundi i vitit ’98-të, ka qenë udheheqës i armatës së tretë i ushtrisë së Jugosllavisë që e ka mbuluar krejt Kosovës, pra sa i përkët ushtrisë ka qenë përgjegjësi kryesor për krimet e kryera në Kosovës”, ka thënë Bekim Blakaj nga Fondit për të Drejtën Humanitare.
Sipas Bekim Blakajt nga Fondi për të drejtën humanitare në Kosovë, pritja e Pavkoviq në Serbi, është e papranueshme.
“Kanë dërguar aeroplanin qeveritar serb atje, me një prononcim të vetin presidenti serb e ka ngritur në piedestal dhe e ka glorifikuar diçka që është e papranueshme, meqë ai është dënuar për krime kundër njerëzimit”, thotë ai.
Vendimi për dënimin e Pavkoviq dhe pesë ish-zyrtarëve të lartë shtetëror serbë, u shqiptua në vitin 2009 dhe ishte i pari i dhënë nga Tribunali për krimet e kryera nga Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ) dhe forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Dhoma e Gjykimit zbuloi se këto krime u kryen në ekzekutimin e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Sipas njoftimit nga ky Tribunal, Pavkoviq, u gjet fajtor për krimet e ushtrisë serbe në plot 13 komuna të Kosovës, që përfshinin dëbimet masive të civilëve shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre, si dhe incidente vrasjesh, sulmesh seksuale dhe shkatërrim të qëllimshëm të xhamive./teve1