
Zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë cilësohen si betejë gjeopolitike dhe çështje sigurie kombëtare
Instituti për studime të luftës hibride “Octopus” ka mbajtur forumin me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e integritetit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke paralajmëruar për ndikime të jashtme dhe të brendshme që mund të cenojnë procesin demokratik.
Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se Kosova gjendet në shënjestër të operacioneve kërcënuese.
“Në fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, Kosova vazhdon që të jetë një terren i operacioneve kërcënuese jo vetëm me propagandë dhe narrativa nxitëse, por edhe me ndërhyrje politike dhe financiare. Rasti i Moldavisë e sidomos shembujt e tjerë si Rumania e Gjeorgjia na tregojnë se zgjedhjet sot janë arenë e përplasjeve gjeopolitike, janë beteja të heshtura ndërmjet demokracisë dhe hegjemonisë, të së vërtetës dhe propagandës. Në këtë betejë është edhe Kosova për shkak të Serbisë militariste që vepron për rrënimin dhe destabilizimin e saj. Si qendër rajonale e ndikimit rus ajo përdor instrumente të njëjta si dezinformimin, rrjetin fetar, manipulimin kibernetik dhe ndërhyrjet politike dhe financiare për të rritur polarizimin, përçarjen dhe mosbesimin e qytetarëve serbë në procesin zgjedhor. Në këtë kontekst, sot Kosova përballet me sfidën e qëndrueshmërisë demokratike dhe me integritetin e zgjedhjeve si çështje të sigurisë kombëtare, 12 tetori nuk është vetëm ditë votimi është betejë për rendin dhe vlerat euroatlantike, për sigurinë dhe sovranitetin politik”, tha Fetoshi.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka theksuar se Kosova ka dëshmuar maturi zgjedhore ndër vite, por që ka potencuar se situata mbetet e brishtë dhe duhet të mbrohet.
“Kosova në historinë e saj ka ditë të thotë fjalën e saj sa I takon zgjedhjeve. Zgjedhjet kanë pas një maturi, qoftë nga ana e qeverive të ndryshme që e kanë drejtuar, por edhe nga ana tjera te partitë. Jemi koshientë dhe jetojmë në Kosovë dhe shohim me sy tanë dhe dëgjojmë me veshët tanë që kemi një fushatë qytetare, kemi një fushatë e cila në fund të fundit nga ana e partive shqiptare nuk ka agresivitet apo përmban elemente që do të acaronin situatën dhe kjo është për të përgëzuar dhe ne kemi qenë të kënaqur me zgjedhjet e kaluara. Por megjithatë kalojmë një moment që nuk do ta donim, kjo që po kalon Kosova në mungesë të institucioneve të reja, që dëshirojmë të krijohen sa më shpejtë. Të gjithë jemi dakord për një gjë se kemi një demokraci të brishtë dhe ne duhet të jemi në mbrojtje të saj. Zgjedhjet në fakt janë ato që e përcaktojnë drejtimin dhe garantojnë të ardhmen demokratike të Kosovës. Pa dyshim ajo çka ndodhi në Moldavi tregon për një kahje pozitive dhe një moment të mirë për Evropën ku pati një mbështetje shumë interesante. Ishte një frikë që ekzistonte e ishte reale sulmet ishin shumë të mëdha nga ana e Rusisë dhe nga ana tjetër patën fitoren bindëse të presidentes e cila kontribuon në kahjen e Moldavisë dhe vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Malaj.
Malaj ka bërë thirrje edhe për kujdes nga sulmet hibride, duke shtuar se rajoni ka nevojë për stabilitet.
“Ajo që e mundon Kosovën është sfida në veriun e saj dhe tregon që demokracia është nën kërcënimin e saj vetë, do të thosha zgjedhje të lira, vetëm zgjedhjet e ndershme janë ato që përcaktojnë rrugën. Kemi parë e kemi dëgjuar momente të veçanta që mund të sjellin situate që askush nuk do t’i donte por do të thosha që Kosova është në një proces i cili në fakt kërkon mbrojtje dhe përkushtim të gjithçka je që ka arritur. Rajoni ka nevojë për stabilitet dhe stabiliteti vjen nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nuk duhet të biem pre e sulmeve kibernetike të mbështetura nga kushdo. Kosova do të di të I bëjë ballë”, u shpreh ai.
Nga Ambasada e Gjermanisë, Payam Ghalehdar, tha se zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por një ngjarje e cila shihet me rëndësi të madhe ndërkombëtare.
“Dua të theksoj vetëm disa pika. Së pari, unë ndaj vlerësimin se zgjedhjet, madje edhe në vende të ashtuquajtura të vogla si Kosova, janë sot një fushëbetejë gjeopolitike. Pra, Kosova është në një situatë delikate. Ne kemi zgjedhjet lokale që po afrohen në tetor, më 12 tetor, dhe t’i quash ato zgjedhje lokale në fakt është një term i gabuar, pikërisht sepse shohim sa të rëndësishme janë këto zgjedhje, jo vetëm në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të aktorëve të tjerë. Prandaj është shumë e rëndësishme të ruhet dhe të mbahet integriteti i zgjedhjeve, të sigurohet që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe unë ndaj vërejtjet e ambasadorit shqiptar se kohët e fundit zgjedhjet këtu në Kosovë në fakt i janë përmbajtur këtij premtimi. E pamë këtë në shkurt, në nivel kombëtar. Dhe megjithatë është shumë e rëndësishme që të sigurohet që edhe në zgjedhjet që po afrojnë, kjo do të vazhdojë”, tha ai.
Ai shtoi se kërcënimet ndaj procesit zgjedhor vijnë edhe nga brenda vendit.
“Gjithashtu, do të doja të theksoja se kur flasim për zgjedhje dhe demokraci dhe sundimin e ligjit, është po aq e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje asaj që ndodh brenda vendit. Pra, kërcënimet ndaj integritetit të zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit nuk vijnë vetëm nga jashtë, por mund të vijnë edhe nga brenda. Dhe ne kemi vërejtur përpjekje për të, për shembull, përjashtuar disa parti nga zgjedhjet e ardhshme. Dhe sipas mendimit tonë, kjo është për të ardhur keq. Është e rëndësishme që të lejohen të gjithë aktorët të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe që qytetarët e Kosovës të votojnë për partitë për të cilat duan të votojnë”, tha Ghalehdar. /EO
