DASH: Kosova bëri përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

DASH: Kosova bëri përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

Aktuale September 30, 2025 - 12:51

Shtetet e Bashkuara e renditën Kosovën në Nivelin 2 në raportin e fundit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore.

Kjo kategori përfshin vendet ku qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me njerëz, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.

Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Raporti, i publikuar më 29 shtator nga Departamenti amerikan i Shtetit, vë në pah se Kosova ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar trafikimin krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë ndjekjen penale të një numri më të madh personash të dyshuar për trafikim dhe identifikimin e shumë viktimave.

Gjithashtu, është rritur edhe financimi për mbështetjen e viktimave, si dhe fondi për kompensimin e tyre.

Megjithatë, Qeveria nuk i ka përmbushur disa standarde minimale në fusha kyçe, ndaj Kosova mbetet në Nivelin 2, sikurse edhe në raportimin e mëparshëm. Mangësitë kryesore përfshijnë: dënimin e paktë të trafikantëve dhe shqiptimin e dënimeve nën minimumin e parashikuar me ligj.

Raporti, gjithashtu, thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, trajtohen shpesh si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, duke ngritur shqetësime për identifikimin e pasaktë të viktimave.

“Qeveria nuk ka pasur kapacitet për të ofruar ndihmë afatgjate dhe ka ndarë më pak fonde për fushatat e ndërgjegjësimit”, theksohet në raport.

Image

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit kujton se ligji në Kosovë penalizon trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës me dënime deri në 15 vjet burg, por thekson se zbatimi i tij ka qenë i mangët.

Vitin e kaluar, autoritetet ndoqën penalisht 17 raste të reja që përfshinin 49 trafikantë të dyshuar, krahasuar me tetë raste në vitin 2023, që përfshinin 10 trafikantë të dyshuar.

Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht edhe gjashtë raste me 14 trafikantë të dyshuar, të iniciuara në vitet e mëparshme.

Por, gjykatat dënuan vetëm një trafikant seksual - një rënie kjo e madhe krahasuar me 14 trafikantë të dënuar në vitin 2023, thekson raporti.

Ai u dënua me tetë muaj burgim, që ishte nën dënimin minimal prej pesë vjetësh burgim.

Dënimet nën këtë minimum dëmtojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e krimit, thuhet në raport.

Por, krahas mangësive, dokumenti nxjerr në pah edhe përmirësimet në mbrojtjen e viktimave.

Gjatë vitit të kaluar u identifikuan 14 viktima, krahasuar me 17 viktima në vitin 2023, dhe shumica e tyre morën asistencë ligjore, mjekësore dhe psikologjike, këshillim, edukim dhe mbështetje për riintegrim.

Qeveria, sipas raportit, ka rritur financimin për këto shërbime, duke alokuar 150.000 euro për qendrën e sigurisë për viktimat e rrezikuara, krahasuar me 75.000 euro të ndara në vitin 2023.

Gjithashtu, fondi për kompensimin e viktimave është rritur në 200.000 euro vitin e kaluar, krahasuar me 150.000 euro në vitin 2023.

Për periudhën e ardhshme, raporti thekson se Kosova duhet të përforcojë dukshëm përpjekjet kundër trafikimit.

Mes rekomandimeve kryesore përmenden hetimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe shqiptimi i dënimeve të rënda.

Raporti sugjeron, gjithashtu, trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë për identifikimin e trafikimit dhe qasjen e përshtatshme te viktimat.

Kapacitetet dhe financimet për qendrat sociale dhe strehimoret e organizatave joqeveritare, rekomandohet të rriten, ashtu si edhe mbështetja për trajnime profesionale dhe integrim të viktimave. /REL