
Covey: Të gjithë gjenin justifikime për persekutimin e romëve, serbët i përdornin
Dëshmitari James Peter Covey tregoi se të gjitha palët gjenin justifikime sa i përket persekutimit të romëve, duke përfshirë edhe ata që ndodheshin në Evropë. Ndërsa, në rastin e Kosovës, tha se serbët i përdornin ata si vegla.
“Të gjitha palët gjenin arsye sa i takon persekutimit të romëve. Mund të shihje edhe përtej në Evropë dhe mund të vije re që ekzistonin arsye më të ndryshme në nivel lokal për sa i takon mospëlqimit të romëve. Me sa më kujtohet mua, serbët ishin të lumtur që t’i përdornin si vegla romët kurdo që mundnin”, tha dëshmitari.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument i cili ishte me shkrim dorës e që iu kishte dhënë dëshmitarit dhe Bernard Kouchnerit në Kosovë.
Ky dokument, sipas avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, fliste për marrëdhëniet në mes romëve dhe shqiptarëve etnik në Kosovë.
“Një përqindje e madhe e romëve jetonte ndërmjet fshatrave etnik shqiptarë dhe i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla shqiptare, por politikisht mbështetnin autoritetet serbe në Kosovë. Për shkak të kësaj ndasie, romët ishin veçanërisht në fokus të shqiptarëve etnik të cilët ndjeheshin të shfrytëzuar prej tyre. Në zonën e Prishtinës, romët rekrutoheshin në numër të madh nga MUP-i dhe armata jugosllave. Ndonjëherë, në trysni dhe nën presion dhe shpeshherë angazhimi i tyre bëhej në mënyrë vullnetare për të mbushur vakuumin që ishte bërë nga zhvendosja dhe dislokimi i forcave në zonat kufitare dhe në pikat e tjera të nxehta”, tha ai.
Në dokument thuhet se mbështetja e serbëve nga ana e romëve kujtohej qartazi, tha Luka Mishetiq.
“Mbështetja e serbëve prej romëve dhe pjesëmarrja në aktivitete të tilla kundër shqiptarëve etnik, kujtohej qartazi”, tha ai.
Sipas dokumentit, ekzistonte kërcënim për persekutim ndaj romëve që do të kontribuonte në tensione ndëretnike.
“Nuk është e qartë se si shumë romë, janë shpërngulur dhe janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe vendbanimet e tyre. Megjithatë, janë krijuar shumë xhepa të zhvendosur dhe këto zona janë zbuluar në të gjithë provincën. Shpeshherë romët janë dëbuar dhe janë kërcënuar- jo domosdoshmërisht nga fqinjët e tyre të njohur, por nga persona që i kanë zhvendosur ata ose që janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe i kanë gjetur shtëpitë e shkatërruara dhe të djegura. Pra, ekziston kërcënimi për persekutim dhe duket se ky kërcënim do të kontribuojë më tej në sferën aktuale të tensionit ndëretnik që është kaq i gjerë në Kosovë, sot”, tha Mishetiqi. /BD