Ia akuzoi babanë për tortura si pjesë e UDB-s, djali i Ajet Istogut e padit Enver Dugollin
Foto: Laura Hasani

Ia akuzoi babanë për tortura si pjesë e UDB-s, djali i Ajet Istogut e padit Enver Dugollin

Aktuale September 30, 2025 - 19:31

11 vite burgim për protestat e 81-s, më vonë prapë i burgosur e i mbijetuar i masakrës së Dubravës.

Gati 20 vite aktivitet politik e tortura nëpër burgjet e Serbisë i kishte përshkruar në librin “Qark i (Pa)mbyllur burgjesh”.

Por, rrëfimi më me ndikim i Enver Dugollit, erdhi tek më 14 gusht 2024, në emisionin “TRADHËTI VËLLEZËRISH, SHQIPTARËT DHE UDB-ja” në TV Dukagjini.

“Edhe kanë vazhdu, kanë vazhdu torturat rrahjet…Si ka qenë ai moment? Po rrahjet rrahjet klasike me stupc pendrek. Ajet Istogu ka qenë në vazhdimësi edhe i përhershmi aty? Po Ajeti ka qenë, Ajet Istogu ka qenë…”, kishte thënë Dugolli.

Më shumë se një vit pas këtij rrëfimi, Dugolli është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, për shkak se është paditur nga djali i Ajetit, Shpend Istogu.

“Në deklaratën time nuk kam çka shtoj edhe heqi asaj që kam deklaru në emisionin Debat Plus te Ermal Panduri, pra asnjë presje, asnjë pikë nuk i heq as nuk i shtoj asaj deklarate”, ka thënë Dugolli.

Për TV Dukagjini, pas intervistimit mbi pretendimet për “nxitje të urrejtjes”, Dugolli tha se ka pritur kërkim falje e jo padi, sepse kurrë asnjëherë nuk ka qenë i interesuar për hakmarrje, as ndaj Ajet Istogut e as ndaj familjes së tij.

“Edhe pse nuk është në jetë Ajet Istogu ai do të mbahet në mend për torturat që i ka bërë ndaj të burgosurve politik, ndaj njerëzve ndaj të rinjve shqiptarë. Pra trupat tanë janë dëshmitarë të krimeve që i ka kryer ai njeri”, ka shtuar Dugolli.

Përpos Ajet Istogut, në mesin e atyre që kanë ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj tij, sipas Dugollit kanë qenë edhe Isa Bunjaku, Lutfi Ajazi, Hamëz Hajra, e Tahir Shala.