Kërkohet më shumë angazhim për lirimin e Arbnor Spahiut
Foto: Laura Hasani

Kërkohet më shumë angazhim për lirimin e Arbnor Spahiut

Aktuale September 30, 2025 - 21:56

Në Prishtinë sot u protestua për lirimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili nga 9 qershori mbahet në paraburgim në Suboticë. Serbia e akuzon për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit. Protestuesit kërkojnë nga institucionet e vendit për reagim më të madh.

Me thirrjen për drejtësi dhe lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi, sot u protestua në Prishtinë.

Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë dhe akuzohet nga Serbia për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në protestë u nënvizua se Spahiu mbahet padrejtësisht në burg në Serbi, derisa u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen për lirimin e tij.

“Liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk mund të mbahet peng i padrejtësisë. Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur”, thA Erëza Zeqiri, organizatore e protestës.

 “Gjendja e tij emocionale është shumë e rënduar. Po privohet nga liria prej një padrejtësie, prej një sistemi që ndoshta nuk po funksionon siç duhet dhe për këtë arsye gjendja e tij nuk mundet me qenë e mirë. Arbnori një vit më parë ka dhënë dorëheqje prej policisë dhe prej asaj kohe ka jetuar në Gjermani”, tha Donjeta Spahiu, familjare e Arbnor Spahiut.

Gjatë protestës u paralajmërua se deri në lirimin e Arbnor Spahiut, do të vazhdohet me ngulm që të kërkohet nga institucionet e vendit reagim. Spahiu po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori kur Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij./rtk